Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të hënën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë për krim të organizuar e korrupsion ndaj 15 personave, ku i përfshirë është edhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit.
Në komunikatën për media thuhet se aktakuza është ngritur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Speciale njofton se pesëmbëdhjetë (15) të pandehurit janë, D.J., H.B., A.A., Xh.F., H.H., M.H., A.K., Ç.T., M.R., M.I., B.B., N.M., I.K., J.B. dhe B.M., të akuzuar për shkak të veprës penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, ku janë të përfshirë ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, si dhe nëntë (9) zyrtarë të tjerë të komunës së njëjtë. Ndërsa, pesë (5) të pandehurit të tjerë janë pronarë të bizneseve private të angazhuar në projektet e komunës.”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.