Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka folur për miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ai ka shkruar se në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë premtuar se do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin si dhe do të konfiskojnë pasurinë në mënyrë të paligjshme.
“Dje kemi filluar pikërisht këtë. Koncept dokumenti që kaluam është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme, prandaj edhe dua të ju informoj për përmbajtjen e tij. Në kuptimin e ngushtë, pasuria e paligjshme është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore, por në një përkufizim më të gjerë, pasuri e paligjshme është çdo pasuri e cila nuk arsyetohet”, ka shkruar Kurti.
Kurti tutje ka theksuar se vetëm në gjashtë vitet e fundit sekuestrimet kapin vlerën e 180 milionë Euro, ndërsa konfiskimet vetëm 3.5 milionë Euro.
“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”, ka shkruar Kurti.