Policia e Australisë të shtunën arrestoi 235 persona në Melbourne dhe 32 të tjerë në Sydney në protesta kundër masave izoluese. Disa policë pësuan lëndime gjatë përleshjes me protestuesit.
Zyrtarët policorë në Victoria thanë se gjashtë policë kanë kërkuar ndihmë në spital. Disa policë janë rrëzuar dhe janë shtypur, tha policia. Një gjë e tillë shihej edhe në pamjet e publikuara në televizione.
Rreth 700 persona u grumbulluan në disa pjesë të qytetit Melbourne, ndërsa 2.000 policë e bllokuan për qarkullim qendrën e qytetit, duke vendosur pika kontrolli dhe pengesa. U pezullua edhe puna e transportit publik, raporton Reuters, përcjellë Gazeta “Enigma”..
Në Sydney, policët kundër trazirave dhe hetuesit u vendosën rrugëve për t’i parandaluar grumbullimet e mëdha.
Ndryshe, Australia po përballet me përhapje të variantit Delta të koronavirusit që nga mesi i qershorit. Qytetet Sydney, Melbourne dhe kryeqyteti Canberra ndodhet që disa javë në izolim të rreptë.
Të shtunën, Australia regjistroi 1.882 raste të reja me COVID-19. Shumica e rasteve u regjistruan në Sydney.