Kryediplomati evropian, Josep Borell mbrëmë ka kontaktuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksander Vuçiq pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ku ka filluar zbatimi i reciprocitetit me targa të përkohshme.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se janë duke e monitoruar në terren situatën, teksa ka ripërsëritur thirrjen që palët të ulin tensionet menjëherë.
Nga dje, qeveria e Kosovës është duke e zbatuar masën e reciprocitetit me targa të përkohshme për qytetarët e Serbisë që futen në Kosovë. Ky vendim është pritur me protestat nga qytetarët serbë në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugën që shpie në vendkalimet kufitare Jarinje e Bërnjak, bllokim që po vazhdon edhe sot.
Për situatën e krijuar, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se kanë adresuar çështjen në të gjitha nivelet teksa u bën thirrje palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme.
Stano poashtu u shpreh se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell ka kontaktuar liderët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Albin Kurtin dhe Aleksander Vuçiqin.
“Ne thamë tashmë dje se liria e lëvizjes është një gur themeli i Bashkimit Evropian. Si e tillë, ne presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon. Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht situatën në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive për të adresuar situatën në të gjitha nivelet. Përfaqësuesi i Lartë Borrell ishte në kontakt me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti mbrëmë, dhe Përfaqësuesi Special i BE -së Miroslav Lajčák është ende në Beograd duke vazhduar punën me të dyja palët”, tha Stano për Express të martën.
Zëdhënësi i BE-së tutje tha se BE-ja pret që palët t’a adresojnë çështjen e targave në dialogun që ndërmjetësohet nga ta.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përdorin Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat. Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u thasot ambasadorëve të QUINT-it se vendimi për targat e Serbisë nuk është provokim e as diskriminim.
Ndërkaq, presidenti serb, Vuçiq ka mbajtur sot një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, teksa kërkoi që Kosova të tërheq policinë nga veriu ose do të përballet me masa pa sqaruar se çfarë masa do të ndërmarr.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-në në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shprehu shqetësim për sitautën e krijuar në veri pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti për automjetet e Serbisë.
“I informova Shefat e Misioneve të BE-së mbi situatën në veriun e Kosovës. Jam i shqetësuar dhe thërras për deeskalim të menjëhershëm. Është e rëndësishme që të ulen tensionet, të rikthehet atmosfera paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne qëndrojmë të gatshëm për të lehtësuar bisedimet mbi të gjitha çështje e hapura të dialogut”, ka shkruar Lajçak.