Të marten, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, u takuan me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto.
Presidentja Osmani dhe ministrja Gërvalla e falënderuan presidentin Niinisto për angazhimin e pakursyer të Finlandës për njohjen dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe e njoftuan atë me përpjekjet që vendi ynë po i ndërmerr për t’i plotësuar të gjitha detyrimet dhe standardet e kërkuara për avancimin e agjendës euroatlantike.
“Integrimi i shpejtë i Kosovës dhe i vendeve të tjera të rajonit në BE dhe në NATO është parakusht për ruajtjen e stabilitetit në rajon, i cili, fatkeqësisht po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e regjimit serb, i cili vazhdon e mentalitetin e viteve ‘90”.
Sipas Presidentes Osmani, Finlanda, si vend që e njeh mirëfilli kërcënimin e vazhdueshëm ndaj lirisë së vendeve sovrane, ngase është ballafaquar gjatë me kërcënimin rus, ngjashëm me atë serb, me të cilin po përballet rajoni i Ballkanit, mund të ndikojë në vendet anëtare të BE-së që ato ta përshpejtojnë agjendën europiane të Kosovës dhe të rajonit.
Presidentja Osmani e njoftoi Presidentin e Finlandës se Kosova gjithnjë ka qenë palë konstruktive në dialog me Serbinë, përkundër faktit që Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera dhe ende mban peng afër 2000 njerëz të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Presidenti i Finlandës, Niinisto, tha se populli finlandez i kupton sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe ka vlerësim pozitiv për përpjekjet e vendit tonë për të rritur numrin e njohjeve e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, si dhe për reformat që po ndërmirren për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.