“Me Programin tonë qeverisës jemi zotuar të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirëse dhe me mundësi për të gjithë. Këtë do ta arrijmë duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe nëpërmjet garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti këtë fjalim e mbajti në hapje të konferencës së shënimit të Javës Ndërkombëtare të të Shurdhërve dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave.
Kryeministri Kurti theksoi se personat e shurdhër, përballen me vështirësi të shumta dhe jo rrallë herë jetojnë të izoluar dhe të përjashtuar nga familja dhe shoqëria.
“Domosdoshmërisë për përkrahje institucionale, për të rritur cilësinë e jetës dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar, i jemi përgjigjur duke funksionalizuar Këshillin për personat me aftësi të kufizuar, dhe duke miratuar Planin e Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023)”, tha ai.
Konferenca e sotme është organizuar nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit-Zyrën për Qeverisje të Mirë.
Shënimi i 23 shtatorit si Ditë Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave vjen nga Rezoluta A/RES/72/161 e Kombeve të Bashkuara e miratuar në vitin 2017.
Gjuha e Shenjave Kosovare, e njohur edhe si GJSHK, është një gjuhë natyrore e komunitetit të shurdhër të Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka njohur gjuhën e shenjave kosovare më 29 shtator 2010. Është vlerësuar se gjuha e shenjave kosovare është gjuha amtare/gjuha e parë për 5 000 njerëz të shurdhër në Kosovë.
Gjuha e Shenjave Kosovare përdoret edhe nga personat gjysmë të shurdhër ose edhe nga personat që dëgjojnë, për shembull, anëtarët e familjes së personave të shurdhër, miqtë, bashkëpunëtorët, interpretët e gjuhës së shenjave dhe entuziastët e gjuhëve të tjera.