Pas pothuajse më shumë se katër javëve nxënësit do t’u kthehen sot bankave shkollore, raporton Gazeta Enigma.
Për shkak të pandemisë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka hartuar udhëzuesin për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë COVID-19, i cili parasheh 4 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor, varësisht nga situata epidemiologjike dhe kushtet specifike në shkolla.
Gjatë ditës së djeshme, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se mbi 65 për qind e punonjësve të arsimit dhe stafit tjetër janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës, kurse 90 për qind e tyre me një dozë.
“Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat”,ka shkruar ajo në Facebook.
MASHT-i gjithashtu ka njoftuar se pas takimit të Task-forcës së kësaj ministrie është marrë vendim që orët e humbura të kompensohen.
Kompensimi i 18 ditëve të mësimit të humbura për vitin shkollor 2021-2022, do të bëhet të shtunave duke filluar nga data 9 tetor 2021 e deri më 24 qershor 2022.