Reagon ambasada amerikane pas tërheqjes së barrikadave dhe policisë speciale nga veriu

Reagon ambasada amerikane pas tërheqjes së barrikadave dhe policisë speciale nga veriu

I ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobbe, e ka mbështetur largimin e Njësisë Speciale dhe heqjen e barrikadave në veri të vendit.

Ai tha se me këtë veprim Kosova dhe Serbia janë duke e zbatuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për kufi.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se trupat e KFOR-it do të qëndrojnë për dy javë në kufi, teksa u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë dialogun.

““Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia pas implementimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja në kufi. Prezenca e përkohshme e KFOR-it, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara në këtë momentum dhe të rikthehet seriozisht dialogu”, thuhet në reagim.

Para dy ditësh emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociatash, është arritur marrëveshja që e de-eskalon situatën në veri të Kosovës.

“E kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-eskalim dhe rrugën përpara sapo është arritur. E falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për t’u pajtuar për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak.

Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak bashkë me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duke filluar nga e shtuna.

Sipas marrëveshjes, nga e hëna Kosova dhe Serbia do të përdorin afishe për automjetet që vijnë nga njëra-tjetra. Kjo do të shërbejë si masë e përkohshme.

Po ashtu, një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe i kryesuar nga BE-ja, do të krijohet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave. Takimi i parë i Grupit të Punës është paraparë të mbahet më 21 tetor në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme.

Ndërkohë sot është zbatuar pika e parë e kësaj marrëveshje. Njësia Speciale është larguar nga veriu. Atje janë vendosur trupat e KFOR-it që do të qëndrojnë për dy ditë rresht. Ndërkohë protestuesit serbë kanë larguar barrikadat që i kishin vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak.

Related Articles