Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritën në takim stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës, në krye me Drejtorin e Përgjithshëm, Samedin Mehmetin.
“Kryeministri Kurti falënderoi dhe u shprehu mirënjohje të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve, si dhe dëshmuan se Policia e Kosovës është e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin për media.
“Me këtë vetëmohim e qëndrim profesional në çdo veprim të çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit e qetësisë publike dhe lëvizjes së lirë, duke garantuar kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurte”, tha Kurti.
Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe përkushtimin maksimal, sidomos të Njësisë Speciale të Kosovës, e cila me sjelljen e dinjitetshme përkundër provokimeve të lloj-llojshme, dëshmoi se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.
Në takim ishin të pranishëm Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për operativë, Fehmi Hoti, Drejtori i Departamentit për operacione, Gazmend Hoxha, Ud.Drejtori i Departamentit për Kufi, Ragip Bunjaku dhe zyrtarë të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës.