Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të ripërsërisin garancinë e tyre për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen, në samitin BE-Ballkan, që do të mbahet javën e ardhshme në Lubjanë, kanë thënë dy zyrtarë, përcjell Reuters.
Pas javëve të mosmarrëveshjeve mbi formulimin e deklaratës që do të lëshohet në samit, të dërguarit e 27 shteteve të BE-së arritën marrëveshje për të “rikonfirmuar mbështetjen e tyre të qartë për perspektivë evropiane”, tha zyrtari.
Më 28 shtator, Reuters raportoi se bllokimi i deklaratës “garantuese” u pa si reflektim i mungesës së entuziazmit në kryeqytetet e shteteve të BE-së për të garantuar anëtarësimin në të ardhmen të Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut.
Një zyrtar tjetër i BE-së, tha për Reuters, se megjithëse ka një dakordim për deklaratën e samitit, strategjia e BE-së për zgjerim në juglindje të Evropës po has në pengesa.
“Nuk mund të them se gjithçka është mirë”, tha zyrtari, duke vënë në dukje ngurrimin midis disa shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejmë të bllokut. “Sigurisht që ka shumë çështje, por gjithashtu nuk mund të thuash që dera është e mbyllur”.
Shtetet e BE-së kanë refuzuar të zbulojnë qëndrimet e tyre mbi negociatat e deklaratës së samitit, megjithëse Sllovenia, e cila ka presidencën e radhës të BE-së, kërkoi të përfshijë angazhimin e bllokut që të pranojë në gjirin e saj gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030, sipas një drafti të parë nga Reuters.
Kjo nuk u përkrah nga shtetet tjera.
Vendet e pasura të BE-së kanë frikë nga një përsëritje e asaj që ndodhi pas pranimit të nxituar të Rumanisë e Bullgarisë më 2007 dhe menaxhimit të dobët të migrimit të punëtorëve nga Evropa Lindore në Britani, që i ktheu shumë britanikë kundër BE-së.
Në samitin që do të mbahet javën e ardhshme, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.