Të shtëna me armë në Elbasan, një i vrarë dhe një në gjendje kritike për jetën

Të shtëna me armë në Elbasan, një i vrarë dhe një në gjendje kritike për jetën

Mbrëmjen e 4 tetorit, qyteti i Elbasanit është tronditur nga të shtëna me armë zjarri. Nga burimet paraprake u mësua se dy persona kishin mbetur të vrarë.

Por më pas policia bëri me dije se njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri si pasojë e plagëve të marrë, ka pësuar vdekje klinike dhe është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

I vdekur ka mbetur Lulzim Bitri, 35 vjeç nga Katundi i Ri Elbasan, ndërsa në gjendje kritike për jetën është Ardian Çollaku.

Ky i fundit është hetuar për vrasjen e Everest Çakaj, i cili mbeti i vdekur mbrëmjen e 11 majit në Elbasan. Çakaj u ekzekutua në makinën e tij, ku po udhëtonte së bashku me bashkëshorten, e cila mbeti e plagosur. 

Krimi i rëndë mendohet të ketë ndodhur rreth orës 19:00, në fshatin Balldren, në një lokal pranë një karburanti, ku kanë qenë dy persona që kanë shtënë në drejtim të lokalit.

Viktima dhe i plagosuri janë qëlluar me breshëri plumbash teksa ishin në këmbë. Pas kryerjes së krimit, autorët dyshohet se janë larguar në afërsi të zonës së Metalurgjikut, pasi aty është gjetur dhe një makinë e djegur, tip “Volvo”.

Ndërkohë policia po punon për kapjen e tyre. Pista ku po heton policia është ajo për larje hesapesh, pasi Çollaku dhe Bitri rezultojnë me precedent të mëpashëm penal për vepra të ndryshme.

Policia e Elbasanit, RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale ndodhen në vendin e ngjarjes për të zbardhur detajet e këtij krimi.

Kush është Ardian Subashi (Çollaku)?

Ardian Subashi (Çollaku) më 26 maj të vitit 2015 u arrestua nga efektivët e policisë, në qendër të qytetit të Elbasanit.

Ai u arrestua nga policia shqiptare me qëllim ekstradimin, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Modenas, Itali e kishte dënuar me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burg për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Gjithashtu dyshohet se ai ka bashkëpunuar me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në “Masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018.

Erjon Alibej nga ana tjetër dyshohet se është porositësi i dy vrasjeve që ndodhën vitin e kaluar në Elbasan.

Pas dënimit në Itali, Çollaku nuk u shkëput nga veprimtaria kriminale, ndërsa vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje.

Nga ana tjetër Subashi ka qenë edhe subjekt i OFL-së, ku vitin e kaluar së bashku me tre persona të tjerë u është kërkuar deklarimi i pasurisë.

Kush ishte Lulzim Bitri?

Viktima e krimit të mbrëmjes së hënës, Lulzim Bitri, ka qenë i dënuar me katër muaj burg nga shteti maqedonas, pasi ishte i përfshirë në një përplasje me armë mes grupeve kriminale në Tetovë në vitin 2018.

Nga kjo e fundit mbeti i vrarë një person. Bitri, pas vuajtjes së dënimit iu ndalua hyrja në Maqedoni për pesë vite.

Nga ana tjetër dyshohet se kishte lidhje të forta me Talo Çelën – një nga miqtë më të afërt të tij.

Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Ai akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, si dhe atë të Anxhelo Avdias dhe Dorian Shkozës. Si dhe i dyshuar kryesor për grabitjen e Rinasit.

Related Articles