Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt mbrëmë, rreth orës 23:45 ka pranuar një informacion inteligjent, se në rrugën ‘’Zenel Hajdini ‘’ në Ferizaj një lokal është duke punuar në kundërshtim me vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Menjëherë një patrullë e policisë nga stacioni policisë n Ferizaj ju ka përgjigjur kësaj informate dhe në këtë lokal ka hasur disa persona brenda.
Në lidhje me këtë në bazë të autorizimeve, policia i ka marr veprimet e duhura dhe ka filluar tu shqiptojë fletëparaqitje të gjithë personave të pranishëm që nuk kanë respektuar vendimin për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid-19.
“Mirëpo, një person ka filluar t’i kundërshtojë policinë, duke i fyer ata dhe duke i kërcënuar me jetë. Policia, të detyruar nga veprimet e personit të dyshim, për shkak të kanosjes së drejtpërdrejt, për ta futur situatën e krijuar nën kontroll e arrestojnë të njëjtin person me inicialet L.A ( M/K) i moshës 44 vjeçar dhe gjatë kontrollit në trupin e tij është gjetur edhe një armë zjarri (pistoletë me 3 fishekë)”, thuhet në njoftim.
I njëjti është shoqëruar në stacionin policor dhe gjatë testit me alkooltest, ka rezultuar me 1.16 promila.
Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin , parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid- 19 dhe fton qytetarët që sa herë kanë informacione për mos zbatim të këtyre masave, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250, 0290/322-406”, thuhet në njoftim.