Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në Milano. Të arrestuari mësohet se janë B.L 45 vjeç dhe J.S të 27 vjeç. Ata akuzohen për posedim dhe shitje droge.
Ishte policia e Komisariatit Garibaldi Venezia, të cilët pas një hetimi mësuan se një burrë mbante një sasi të madhe droge në një apartament.
Policët vunë re 45-vjeçarin në bordin e makinës së tij pranë Viale Monza, teksa ishte duke dorëzuar një zarf të kuq tek një 27-vjeçar po ashtu shqiptar i cili pasi u kontrollua më pas, u zbulua se mbante dy pako heroinë me peshë rreth 1 kilogram.
Pas ndalimit policia 45-vjeçarit shqiptar i gjeti në makinë një shumë prej 2 mijë eurosh, raporton abcnews.
Ndërsa pas kontrollit në banesën e tij u gjetën 19 kg kokainë, 20 kg heroinë, 160 kg lëndë përzierëse, 5,500 euro para të thata, material për përpunimin dhe paketimin e drogës, një presë e madhe metalike, tre furra me mikrovalë, dy përzierës të mëdhenj, kimikate të lëngshme dhe dy maska me gaz. Droga e sekuestruar do të kishte sjellë rreth 3 milionë euro fitime në treg.