Deklarata e anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, se asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij, ka ngjallur reagime tek LVV-ja, raporton Gazeta “Enigma”.
Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Haki Abazi i cili tha se kjo deklaratë vie pikërisht nga ata që e kanë nënshkruar asociacionin.
Abazi thotë se është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale.
“Deklaratat e kreut të LDK për asociacionin se kinse qeveria do ta pranojë asociacionin, vijnë pikërisht prej atyre që e kanë nënshkruar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe atë me kompetenca ekzekutive dhe një etnike. Është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale”, tha Abazi.
LEXO EDHE: Pas marrëveshjes për targa, LDK frikësohet se Qeveria mund të pranojë Asociacionin
“Po të njejtit që kanë nënshkruar marrëveshje joevropiane për komandantin serb të policisë në veriun e Kosovës, nënshkruesit e fusnotës dhe ata që dobësuan fuqinë e Kosovës në dialogun me Serbinë, sot për qëllime të ulëta politike të tentojnë të shpërndajnë lajme të rrejshme kundër qeverisë për të krijuar konfuzion dhe për të zbehur arritjen në rastin e targave. Kosova sot ka institucione me legjitimitet si asnjëherë më parë dhe qeveri që zbaton politika në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese në interes të sovranitetit dhe integritetit territorial të republikës”, ka shkruar tutje ai.
Deputeti Abazi tha se qytetarët dhe Qeveria nuk janë të frikësuar.
“Ata mund të janë të frikësuar sepse me frikë kanë vepruar edhe kur ishin të gatshëm që për pushtetin e tyre të rrëzojnë qeverinë e votës qytetare edhe me çmimin e ndarjes së vendit dhe në mes të pandemisë COVID19. Qytetarët dhe qeveria nuk janë të frikësuar sepse jemi në të drejtën tonë dhe në të drejtën e barazisë edhe në dialogun me Serbinë. Dje kishte frikë, sot ka vendosmëri dhe qartësi”, ka shkruar deputeti i Vetëvendosjes./Gazeta Enigma.