Lideri i Listës Serbe, i cili mban edhe postin e ministrit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Goran Rakiq, ka thënë se qëllimi i subjektit që ai përfaqëson është që të fitojnë sa më shumë vende për këshilltarë në zgjedhjet lokale në Kosovë, më 17 tetor.
“Për të realizuar qëllimet dhe detyrat e mëdha që kemi para nesh, punët e reja, investimet, projektet kapitale në komunitetet serbe,… na duhet një fitore më 17 tetor”, citohet të ketë thënë Rakiq në një intervistë për mediumin serb, Novosti.
Gjatë kësaj interviste, ai ndër tjerash ka folur edhe rreth formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, të cilën gjë madje e ka quajtur “çështje e të gjitha çështjeve”.
“Çështja e formimit të ASK-së është çështje e të gjitha çështjeve. Koha ka treguar se pa institucionin ombrellë të popullit serb, ASK-së, kutia e Pandorës është hapur dhe institucionet e Kosovës nuk kanë as kapacitet dhe as vullnet politik për t’u marrë me problemet e serbëve… Së fundi, çështja e formimit të ASK-së është çështje e besueshmërisë së BE-së, e cila nuk garantoi marrëveshjet e nënshkruara”, ka pretenduar Rakiq. /Gazeta Enigma/.