Danimarka e ka siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022, pasi e mundi 1:0 Austrinë të martë mbrëma.
Joakim Maehle e shënoi golin vendimtar për t’i ndihmuar ekipit të Kasper Hjulmandit ta ruajë rekordin e përkryer në kualifikime, duke e siguruar vendin e parë në Grupin F.
Danezët janë liderë me shtatë pikë më shumë se vendi i dytë, Skocia, pas tetë ndeshjeve, kur kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje deri në fund.
Danimarka ishte e vetëdijshme para përballjes me Austrinë se një fitore do t’ia siguronte vendin e parë në grup.
Sikur Skocia të dështonte të fitonte ndaj Ishujve Faroe, edhe një barazim do t’i kishte mjaftuar Danimarkës për ta siguruar vendin e parë.
Danimarka ka qenë e paprekshme gjatë këtyre kualifikimeve.
Jo vetëm që i ka fituar të gjitha ndeshjet deri tani, por nuk e ka pranuar asnjë gol.
Ata i kanë shënuar tri gola për ndeshje mesatarisht, po ashtu, apo 27 në përgjithësi.
Danimarka është ekipi i dytë evropian që e konfirmon vendin në Botërorin e Katarit, pas Gjermanisë./Gazeta Enigma/