Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se në mesin e dy çështjeve kryesore për të cilat e informoi ministrit aktual, Arben Vitia, është edhe dosja e negocimit të qeverisë me kompaninë e prodhimit të vaksinave, Pfizer.
Zemaj ka thënë se disa ditë pasi u largua nga detyra e ministrit, i erdhi një njoftim nga kompania amerikane Pfizer lidhur me vazhdimin e procesit të negocimit për furnizimin e Kosovës me vaksina.
“Menjëherë në ditët pasuese ka ardhur prapë kërkesa tek unë nga Pfizer, se a mundem të vazhdojmë me nënshkrimin e kontratës, dhe të njëjtën e kam adresuar tek ministri aktual”, ka deklaruar Zemaj në një intervistë në kanalin televiziv ATV.
Lidhur me skandalin e ministrit Arben Vitia, të publikuar të premten, Zemaj ka konfirmuar se anashkalimi i afateve të nënshkrimit të kontratës me Pfizer sjell pasoja në procesin e furnizimit me vaksina.
“Natyrisht kjo kontratë ka pasur afate, siç është bërë e ditur se ka qenë 15 prilli, por pse nuk është nënshkruar kontrata, atë mund ta thotë ministri aktual”, ka thënë Zemaj, i cili ka thënë se përmes formës së negocimit Kosova mund të furnizohet me vaksina vetëm në fund të vitit 2021.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka kritikuar qeverinë Kurti për tentim-marrjen e meritave me rastin e furnizimit me 22 mijë dozat e vaksinave nga COVAX.
“Ministrit aktual ia kam ofruar dy çështje: Ligjin për Shëndetësi dhe Dosjen e negocimit me prodhuesit, sidomos atë me Pfizer. Pasi kam dal nga Ministria, më është adresuar COVAX-i, nëse ju kujtohet ajo ceremonia në aeroport. Ne e kishim organizuar ceremoninë për shkak të ndihmës që na bëhej”, ka thënë Zemaj.