Drejtoria për Hetimin dhe Luftimin e Narkotikëve – Njësia në Prizren dhe Njësia e Ferizajt, gjatë punës operative dhe marrjes së informatave nga burime relevante, të shtunën me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit dhe aprovimin e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, ka realizuar një bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit me iniciale (K.B.) në fshatin Sallagrazhd, Komuna e Suharekës me dyshimin se në shtëpinë e tij gjendet një sasi e substancave narkotike të llojit Marihuanë.
Asistim në këtë operacion kanë ofruar edhe Njësitet për reagim të shpejtë (NJRSh) patrullat policore të stacionit Policor në Suharekë, si dhe forenzika rajonale. Sipas detyrës zyrtare janë ftuar edhe dy avokat mbrojtës.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë/provat si në vijim:
“Njё (1) thes najlloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas matjes rezulton me peshë pesë (5) kg; Njё (1) thes najlloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas matjes rezulton me peshë pese (5) kg; Njё (1) thes najlloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pas matjes rezulton me peshë katërqind (400) gram; Një (1) peshore elektrike ngjyrë e bardhë , (3) rolle plastike që shërbejnë për paketim të substancës narkotike; Një (1) aparat elektronik për shërbim të vakumimit të qeseve plastike –paketim të marihuanës”, njofton policia, transmeton Gazeta Enigma.
Policia njofton se njësitet relevante policore janë duke zhvilluar hetime lidhur me rastin dhe po punojnë “me intensitet te madh në arrestimin e personit të dyshuar që këto momente ndodhet në arrati”.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale në përgjithësi, veçanërisht masa rigoroze ligjore do të aplikohen ndaj personave të përfshirë në përdorim shitje apo abuzim me substanca narkotike”, përfundon njoftimi i policisë.