Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar që për të tretën herë ekipi i boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi.
Sipas KOK-ut policia serbe morri urdhër nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen e ekipit që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që nis sonte në Beograd, njofton Klankosova.tv.
“Ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi.” shkruante në një postim në Facebook të KOK-ut.
Tutje thuhej se e dënojnë veprimin e Qeverisë së Serbisë dhe se do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë.
“Ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, këtë herë pas insistimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe AIBA-s, me të cilët drejtuesit e KOK-it, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm.”
/Gazeta Enigma/