Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka mbajtur konferencë për medie për pengesën e boksierëve kosovarë nga Republika e Serbisë, në të cilën po mbahet Kampionati Botëror i Boksit.
Çeku tha para medieve se janë në bisedime me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi që kjo çështje të trajtohet në nivel dialogu Kosovë-Serbi.
“Sapo e përfunduam takimin. Bashkarisht të adresojmë padrejtësinë e bërë të boksierëve. Në emër të Qeverisë e dënojmë rëndë këtë veprim. Sportistët tanë e kanë treguar potencialin e tyre në arenën ndërkombëtare. Rrugëtimi i ndërkombëtarizmit të Kosovës i takon së kaluarës, vendimi i Serbisë për mos lejimin e hyrjes së sportistëve tanë është shkelje e të drejtave. Ky vendim është i marr me direktivat nga Qeveria e Serbisë. Kemi drejtuar kërkesë zyrtare për ta tërhequr këtë vendim”.
“Ftesën s’e kanë marr nga Serbia por nga Organizata Botërore e Boksit. Përkundër kërkesave tona të shumta, përsëri u është mohuar e drejta për të hyrë në shtetin e Serbisë. Më lejoni t’ju them se kjo është sfidë e përbashkët dhe e ka tejkaluar botën e sportit tani është çështje politike. Kemi kërkuar ndihmë nga BE-ja, por s’kemi për çudi asnjë reagim nga ata. Të gjithë e dimë që në Kosovë funksionin struktura paraleleve të sportit në Kosovë. Për këtë u kemi bërë thirrje që të integrohen në federatat tona. Do të mblidhet Këshilli për parandalimin e federatave paralele serbe.
“Personalisht i kam kontaktua ambasadat e shteteve QUINT-it, por s’kemi marr ende përgjigje. Jemi të vendosur që edhe politikisht ta ndjekim këtë çështje. Frika e Serbisë ka qenë nga talenti i sportistëve tanë. Në raport me BE-në, ne nuk do të donim që sporti të ketë çfarë do lloj lidhje me dialogun. Ne jemi në bisedime me Bislimin që kjo çështje të trajtohet në nivel dialogu”.
Zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, tha se presin reagim nga Bashkimi Evropian dhe që Serbia të penalizohet.
“Ne presim që organizata ndërkombëtare t’iu përgjigjen kërkesave, që të penalizohet në formën e duhur. Në aspektin sportiv do të trajtohen nga organizatat sportive”.
Ndërsa, Sekretari i Federatës së Sportit, Latif Demolli, tha se kanë kërkuar që Serbia të dënohet me mospjesëmarrje në gara ndërkombëtare.
“Ditën e parë tentimit, jemi ndaluar nga Policia serbe dhe na është thënë që nuk mund të hyni me simbole të Kosovës. Menjëherë kemi biseduar me zyrën Botërore, në mbrëmje kemi marr një përgjigje, që të nisemi. Por, prapë e njëjta situatë. Na kanë kërkuar që të heqim uniformën”.
“Prapë mora telefonatë se mund të nisemi, mirëpo sërish nuk arritëm të kalojmë. Një polic më një sjellje të mirë tha po me vjen keq por kemi urdhër nga lartë se nuk mund të hyni. Tani i kemi bërë të gjitha kërkesat nga federatat ndërkombëtare. Kemi kërkuar që Serbia të dënohet mos të merr pjesë në garat ndërkombëtare.
“Në një medalje është e vendosur me Kosovën në hartë. Ndërsa, Serbia e ka bërë një propagandë duke e shfaqur në medalje ku Kosova shfaqet pjesë e Serbisë”.