“Nuk janë të sigurta askund”, shifër alarmante e dhunës ndaj grave që nga janari i këtij viti

“Nuk janë të sigurta askund”, shifër alarmante e dhunës ndaj grave që nga janari i këtij viti

Videoja e gruas që u pa teksa sulmohej të dielën në mesditë nga një burrë, bëri bujë të madhe gjithandej nëpër rrjete sociale, shkruan Gazeta Enigma.

Burri i cili kishte ngritur dorë ndaj gruas në një marketë, i njejti u sulmua me reagime të shumta, derisa Policia e Kosovës në raportin 24 orësh këtë rastë e cilësoi si “Lëndim i lehtë trupor”.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR-Prishtinë, 24.10.2021 – 14:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

LEXO EDHE: Burri në sy të familjes së tij, rrah brutalisht një grua në një market në Prishtinë

Por, Rrjeti i Grave të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se gratë nuk janë të sigurta askund, dhe se në shoqërinë tonë vazhdon të mbizotëroj mentaliteti patriarkal.

“Dhuna iu ndodh grave pikërisht vetëm pse janë gra. Dhuna ndaj grave nuk është e shprehur vetëm brenda ambienteve shtëpiake por kudo dhe ndaj secilës grua. Gratë tashmë nuk janë të sigurta askund në Kosovë. Mentaliteti patriarkal që mbizotëron në shoqërinë tonë ua lejon burrave të zotërojnë pushtet dhe me këtë mendësi ata besojnë që kanë të drejta më shumë se gratë, në këtë rast duke pretenduar se hapësira publike iu takon burrave dhe gratë duhet të ua lëshojnë hapësirën atyre”, thuhet në përgjigjen e RrGK-së.

RrGK më tej ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta hetojnë këtë rast dhe personi përgjegjës të dënohet sipas ligjit.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se personi i cili ka ushtuar dhunë fizike ndaj gruas në market po dyshohet për veprën penale “Sulm”, derisa edhe i ka shqiptuar masën prej një muaji paraburgim.

LEXO: E rrahu një grua në market, gjykata i cakton një muaj paraburgim 46-vjeçarit

Kurse, Gazeta “Enigma” ka siguruar statistikat se sa gra janë sulmuar që nga janari i këtij viti.

Nga janari e deri në shtator të vitit 2021 janë sulmuar 1437 viktima femra, në ndërkohë që 408 raste janë nga gjinia mashkullore.

Për këtë periudhë kohore, numri total i viktimave është 1845.

Nga Policia e Kosovës thanë se rastet e dhunës i kanë trajtuar me seriozitet dhe se në secilin stacion.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e  dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”,thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën “Enigma”.

Ndryshe, rastet e vazhdueshme të dhunës ndaj grave qoftë nga bashkëshortët e tyre, apo edhe në hapësira publike nga persona të panjohur, po cilësohen si shqetësuese, derisa shumë nga skena politike kanë kërkuar që këto raste të hetohen dhe kryesësit e veprës të marrin dënimin e merituar. /Gazeta Enigma/.

Related Articles