Ferenc Kajari, komandanti i ri i KFOR-it, ka thënë se pa miratimin e tij nuk mund të bëhet vendosja e forcave të FSK-së në veri të Kosovës.
Në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”, Kajari ka thënë se e ka ditur se detyra që po e merr është komplekse, por qysh në fillim është përballë me sfida të ndryshme.
“Situata aktuale është përgjithësisht e qëndrueshme dhe KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij në baza ditore – mandat që rrjedh nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje”, ka thënë Kajari.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas një marrëveshje të mëparshme, duhet të autorizohet nga komandanti i KFOR-it para çdo dislokimi në veri të Kosovës. Policia e Kosovës mund të lëvizë lirshëm në mbarë Kosovën”.
“NATO pret që institucionet vendase të vazhdojnë t’u përmbahen marrëveshjeve. Në javët e para jam takuar me krerët e institucioneve në Kosovë, të cilët më kanë siguruar se para çdo veprimi, do të ketë koordinim të duhur me Kosovën dhe vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të vazhdojë të bazohet në njoftimin dhe miratimin paraprak nga komandanti i KFOR-it”, tha ai për mediumin serb.
Lexo edhe: Një vit burgim për burrin që rrahu gruan me grushte
I pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet e Kosovës po planifikojnë një aksion tjetër në veri, Kajari ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë dhe se po e monitorojnë nga afër situatën dhe janë të përkushtuar në zbatimin e mandatit që kanë.
Gjenerali hungarez ka folur edhe për patrullimet e përbashkëta me Ushtrinë e Serbisë.
“KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Ushtrinë e Serbisë, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë. KFOR-i do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Ushtrinë Serbe dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës, për të garantuar sigurinë në mbarë Kosovën. Patrullimet e sinkronizuara me ushtrinë serbe do të vazhdojnë përgjatë kufirit administrativ”, ka thënë Kajari./Gazeta Enigma/