Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka reaguar pasi kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e akuzoi Qeverinë pasi inspektorët i mbyllën disa lokale në këtë qytet. Haziri e quajti inspektoratin e AUV-it si “njësi ndëshkuese të Qeverisë”, derisa aksionin e tyre e cilësoi “represion për mbyllje të dhunshme të lokaleve”.
AUV-i, përmes një reagimi në Facebook thotë se Qeveria s’ka kompetenca që të ndërhyjë në procesin e shqiptimit të dënimeve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e shqiptimit te dënimeve ndaj personave konkretë, fizikë apo juridikë, nga inspektorët e AUV-it apo zyrtarët e Policisë së Kosovës për shkeljet e masave anti-Covid. Në vend të kësaj, ekzistojnë procedura të qarta ligjore përmes të cilave secili person i tillë mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj dënimeve që prentendohet të jenë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.
Tutje, AUV-i i del në mbrojtje Qeverisë duke thënë se çdo përpjekje për ta fajësuar atë për dënimet bëhet për fushatë zgjedhore.
LEXO EDHE: Haziri: Po ju bëhet presion bizneseve në Gjilan, ato po mbyllen pa koordinim me komunën
“Çdo tentim për ta fajësuar apo shantazhuar Qeverinë lidhur me këtë çështje s’është asgjë përveçse përpjekje për të përfshirë nivelin qëndror në fushatën e zgjedhjeve lokale nga kryetari aktual e në shërbim të tij”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, Kryetari aktual i Gjilani, Lutfi Haziri, në një konferencë të jashtëzakonshme, përball një kafiterie që u mbyll të shtunën mbrëma për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID, deklaroi se veprime të tilla po bëhen në formë presioni dhe pa koordinim me Komunën.
“Mbyllja e kafiterive për shkak të mos respektimit të masave, është ndërhyrje në punët e komunës, sepse unë udhëheqi me emergjencat civile kundër COVID-19 në Gjilan, është Komiteti i Emergjencave, dhe Inspeksioni komunal që është autoriteti kryesor më i lartë komunal që merret me ndalimin dhe hapjen e aktiviteteve”, ka thënë ai në një konferencë për media të dielën.
I pari i Komunës së Gjilanit, i cili në zgjedhjet e 17 tetorit doli personi i dytë më i votuar, deklaroi se gjendja me bizneset do të normalizohet së shpejti. /Gazeta Enigma.