Para tre javësh, gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari, mori detyrën si Komandant i KFOR-it.
Në një intervistë për KosovaPress, Kajari thotë se situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij.
Ai thotë se mirëpriten marrëveshjen e fundit në Bruksel që zgjodhi situatën në veri që ndodhi pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat. Gjithashtu, shton se mbështesin me vendosmëri dialogun dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga më shumë se 3700 trupa nga 20 anëtarë të NATO-s dhe 8 partnerë. Për gjeneralmajor Kajar kjo ilustron qartë angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ai shton se për momentin NATO nuk ka plan për të ndryshuar apo reduktuar misionin e KFOR-it në Kosovë.
Kajari thotë se KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë.
“KFOR-i ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm të përditshëm me institucionet në Kosovë dhe unë po planifikoj ta mbaj atë gjatë gjithë mandatit tim. Vlera e shtuar e KFOR-it qëndron në fund të fundit në paanshmërinë e tij dhe në fokusin e tij në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij që rrjedh nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara 1244 i vitit 1999. Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin në mbarë rajonin.”, theksoi ai.
Tutje ai tha se “Situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij që sapo e përshkrova, për të kontribuar për një mjedis të sigurt, si dhe për të kontribuar në lirinë e lëvizjes në Kosovë, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu. Ne mirëpritëm marrëveshjen për de-eskalimin dhe rrugën përpara në Kosovën veriore të arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja”. /Gazeta Enigma.