Çka e solli rikthimin e PDK-së e LDK-së në zgjedhjet lokale, flet Visar Ymeri

Çka e solli rikthimin e PDK-së e LDK-së në zgjedhjet lokale, flet Visar Ymeri


Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, u renditën si dy partitë më të votuara në zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta “Enigma”.


Nga debakli që kishin pësuar në zgjedhjet nacionale, dy partitë opozitare arritën ‘të marrin krahë’ sërish, duke siguruar PDK-ja, 9 komuna, kurse LDK-ja, 7 komuna.

Se çka e shtyu suksesin e PDK-së e LDK-së në zgjedhje lokale, ka treguar në një intervistë për Gazetën “Enigma”, njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri.

“Të dy partitë opozitare, LDK dhe PDK, kanë arritur rezultate shumë të mira në zgjedhjet lokale. PDK prinë me numrin e komunave të fituara, ndërsa LDK ka fituar në kryeqytet që është fitore e veçantë dhe e pazëvendësueshme. Në këtë drejtim mendoj që të dy janë etabluar si liderë të partive të tyre dhe ky autoritet i ri politik do t’ju jap një krah shtesë sikur në reformat e brendshme partiake po ashtu edhe në ballafaqimin politik me qeverinë qendrore”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë si debakël e ka cilësuar rezultatin që korri Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.

“LVV ka pësuar debakël në këto zgjedhje pavarësisht se prej cilit prizëm e orienton analizën. Veçanërisht debakël janë humbjet në Prishtinë e Prizren, këto dy komuna të mëdha në të cilat VV kishte fituar edhe më parë. Kjo nuk ka qenë lehtë e parashikueshme”, theksoi tutje ai.

Sipas tij për këtë humbje të VV-së, faktorët janë të shumtë, por që kryefjalë e tyre është qasja arrogante e shpërfillëse e kandidatëve të këtij subjekti.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultatit të rundit të parë dhe rezultateve preliminare të balotazhit në 22 komuna, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka arritur të fitojë në komunat: Prizren, Vushtrri, Dragash, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Viti, Junik, Istog, Pejë dhe Lipjan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar në komunat; Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Suharekë.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga një komunë në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin. /Gazeta Enigma.

Related Articles