Zgjedhjet lokale ‘i japin krahë’ PDK-së e LDK-së

Zgjedhjet lokale ‘i japin krahë’ PDK-së e LDK-së

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, u renditën si dy partitë më të votuara në zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta “Enigma”. Nga debakli që kishin pësuar në zgjedhjet nacionale, dy partitë opozitare arritën ‘të marrin krahë’ sërish, duke siguruar PDK-ja, 9 komuna, kurse LDK-ja, 7 komuna.

 Të dy partitë e lanë pas, subjektin në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje e cila akumuloi vetëm 4 komuna.

Ndonëse PDK-ja fitoi në një nga komunat më të mëdha në Prizren e Ferizaj, LDK-ja në anën tjetër pas disa vitesh e riktheu bastionin e vet, Prishtinën.

Se çka e shtyu suksesin e PDK-së e LDK-së në zgjedhje lokale, ka treguar në një intervistë për Gazetën “Enigma”, njohësi i cështjeve politike, Visar Ymeri.

“Të dy partitë opozitare, LDK dhe PDK, kanë arritur rezultate shumë të mira në zgjedhjet lokale. PDK prinë me numrin e komunave të fituara, ndërsa LDK ka fituar në kryeqytet që është fitore e veçantë dhe e pazëvendësueshme. Në këtë drejtim mendoj që të dy janë etabluar si liderë të partive të tyre dhe ky autoritet i ri politik do t’ju jap një krah shtesë sikur në reformat e brendshme partiake po ashtu edhe në ballafaqimin politik me qeverinë qendrore”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë si debakël e ka cilësuar rezultatin që korri Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.

“LVV ka pësuar debakël në këto zgjedhje pavarësisht se prej cilit prizëm e orienton analizën. Veçanërisht debakël janë humbjet në Prishtinë e Prizren, këto dy komuna të mëdha në të cilat VV kishte fituar edhe më parë. Kjo nuk ka qenë lehtë e parashikueshme”, theksoi tutje ai.

Sipas tij për këtë humbje të VV-së, faktorët janë të shumtë, por që kryefjalë e tyre është qasja arrogante e shpërfillëse e kandidatëve të këtij subjekti.

Figurat e reja në krye të PDK-së e LDK-së – simbol i ngritjes së dy partive

Analisti, Rasim Alija në një prononcim për Gazetën “Enigma”,tha se rezultati i LDK-së e PDK-së, nënkupton rikthim të legjitimitetit të këtyr dy subjekteve nga qytetarët. “Për partitë opozitare, është një rikthim i legjitimitetit nga qytetarët, pas humbjes dramatike me 14 shkurt. Specifikisht për LDK-në dhe PDK-në, është konfirmim i punës së liderëve të sapo zgjedhur në krye të këtyre subjekteve, dhe tregues për punën cilësore me strukturat e tyre partiake”, theksoi ai.

Sipas Alijës, i gjithë ky sukses që korrën dy partitë opozitare, duhet atribuuar dy krerëve të rinj, atij të PDK-së, Memli Krasniqit, dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së.
 “Ky sukses në nivelin lokal, padyshim i konfirmon si lider z. Krasniqi dhe z. Abdixhiku, dhe i jep një impuls te ri edhe opozitarizmit ne qendër, përkatësisht në Kuvend”, deklaroi tutje Alija.

AAK-ja, subjekti i tretë – të kënaqur me rezultatin zgjedhor

Ndonëse mori katër komuna, kryesisht në rrafshin e Dukagjinit, Pal Lekaj, nga AAK-ja shprehet se rezultati i arritur në zgjedhjet e 14 nëntorit është i kënaqëshëm.

“AAK në këto zgjedhje tregoi një rezultat të kënaqshëm, përkundër që pritjet kanë qenë më të mëdha duke u bazuar në punën e angazhimin e vërtetë të kryetarëve të degëve në tërë KosovënTashmë dihet që ne si AAK kemi fituar në pesë komuna dhe jemi në pritje të rezultateve finale të komunës së Junikut”, deklaroi Lekaj në një intervistë për “Enigmën”.

Tutje ai tha se rezultatet rikonfirmojnë se AAK-ja është parti stabile, që do të jetë në skenën politike për shumë vite.

“Këto zgjedhje dhe ky rezultat dëshmoi që AAK në nivelin lokal ka ofertat më të mira të qeverisjes, kryetarët më të sinqertë që me angazhimin e tyre kanë treguar diferencën dhe zhvillimin e komunave përballë të tjerëve, si dhe përmes indikatorëve lokalë u dëshmua që AAK është parti stabile që do të qëndrojë gjatë në skenën politike dhe do të jetë një forcë në nivelin qendror”, tha tutje ai.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultatit të rundit të parë dhe rezultateve preliminare të balotazhit në 22 komuna, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka arritur të fitojë në komunat: Prizren, Vushtrri, Dragash, Drenas, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.

Rezultatet në zgjedhjet e 14 nëntorit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Viti, Junik, Istog, Pejë dhe Lipjan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar në komunat; Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Suharekë.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga një komunë në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin. / Gazeta Enigma.

Related Articles