Kryetari i zgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni ka folur për garën e balotazhit në këtë komunë ku ai doli triumfues.
Hyseni në RTV Dukagjini thotë se garën e fitoi në Gjilan për shkak të përgatitjeve të hershme sistematike që kanë pasur.
Ai thotë se Qemajl Mustafa është qytetarë i lirë dhe se ata nuk kanë pasur asnjë koalicion me PDK-në në Gjilan.
“Ka pasur fakte që LDK dhe PDK kanë pasur koalicion të fshehur në Gjilan. PDK ka telefonuar shumë persona që të votojnë për Hazirin”, deklaroi Hyseni.
Hyseni thotë se Qendra e LVV-së në Gjilan ka bërë vizita të shumta në fshatra dhe qytet për të identifikuar problemet që më pas janë inkorporuar në programin zgjedhor.
“Fitorja jonë është kombinim i funksionimit të strukturave, programit dhe ekspertizës”.
I pyetur për koalicionet e mundshme pasi LDK në Gjilan është parti e parë, Hyseni thotë se përjashtojnë vetëm koalicionin me LDK-në.
“Lexova nga mediat lokale se unë paskam refuzuar koalicionin me LDK-në dhe PDK-në. Është e vërtet se me LDK-në nuk bëjmë koalicion pasi është parti që kemi garuar shumë ngushtë, derisa nuk përjashtohen partitë tjera. Jemi të hapur për subjektet tjera politike, por baza jonë e bashkëpunimit do të jetë programi dhe kuadrot cilësore”, dekaroi Hyseni.
Ai thotë se PDK në nivelit nacional dallon nga ajo e nivelit lokal.
“Pa qeverisje stabile nuk mund të shtyhen përpara projektet”, tha mes tjerash Hyseni. /Gazeta Enigma/.