Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetar të komunave, për 20 komuna.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se kanë përfunduar të gjitha procedurat e parapara që KQZ-ja t’i shpallë rezultatet përfundimtare, me përjashtim të komunës së Dragashit.
“Gjatë ditës së sotme KQZ-ja ka pranuar informata nga QNR-ja që mund t’i shpallë rezultatet me përjashtim të Dragashit. KQZ-ja do të presë që palët të shterojnë të gjitha mundësitë në këtë rast”, ka thënë Radoniqi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së premte ka vendosur që t’i anulojë votat e diasporës për komunën e Dragashit, pas ankesës së kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune se ato ishin të manipuluara.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.
PZAP-ja ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.
Kandidati i PDK-së për Dragashin, Shaban Shabani, ka bërë ankesë më 17 nëntor në PZAP se në rundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulim të zgjedhjeve të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.
Kandidati i LDK-së për Dragashin, Bexhet Xheladini, ka thënë se votat e mërgatës në këtë komunë janë të pastërta si loti.
Ai u shpreh se PZAP-ja duhet t’i thërrasë në telefon qytetarët në mërgatë nëse kanë votuar apo jo, dhe nëse dikush përgjigjet që nuk ka votuar, Xheladini ka thënë se do t’ia urojë fitoren kundërkandidatit të tij nga PDK-ja, Shaban Shabani.
Xheladini është shprehur i bindur se Gjykata Supreme do ta rrëzojë vendimi e PZAP-së, që anuloi të gjitha votat me postë në Dragash.
Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset dhe kësisoj, PDK-ja dhe LDK-ja kanë numër të barabartë të komunave të fituara, nga 8 sosh./Gazeta “Enigma”/