Një nga trafikuesit më të mëdhenj të armëve në botë është kapur përsëri në Brazil, njoftoi policia e këtij shteti, pesë muaj pasi arriti të arratisej nga burgu duke përdorur një dokument të falsifikuar për lirim të parakohshëm.
Joao Filipe Barbieri u dënua për pjesëmarrje në bandën që ka trafikuar qindra armë të gjata nga Shtetet e Bashkuara, të cilat i kishte fshehur në pajisjet e pishinës, shkruan BBC.
Barbieri u gjet në shtëpinë e nënës së vet në një lagje të varfër afër qytetit të njohur, Rio de Janeiro. Ai është nipi i udhëheqësit të bandës, i njohur si “Lordi i Armëve”.
Banka u identifikua fillimisht në vitin 2017 pas zbulimit të një dërgese me 60 armë të gjata, të cilat ishin dërguar nga Miami, por që u bllokuan në aeroportin ndërkombëtar të Rio de Janeiros. Autoritetet thonë se këto armë iu shitën trafikuesve të drogës, që operojnë në shumë lagje të varfra të Rios.
Barbieri, i vlerësuar si një nga anëtarët kyç të bandës, ishte dënuar me 27 vjet burgim. Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, ai arriti të dilte nga një burg i sigurisë së lartë pasi falsifikoi një dokument gjykate, me të cilin urdhërohej lirimi i tij i parakohshëm.