Gjykata e Apelit ka vendosur të anulojë dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naser Pajazitajt, të akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-s.
Apeli e ka kthyer rastin në rivendosje. I akuzuari do të mbetet në paraburgim.
Në arsyetim të aktvendimit, Apeli ka thënë se aktgjykimi i Themelores së Ferizajt ka pasur mbështetje edhe në prova të papranueshme.
Më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn.
Rasti ka pasur disa zhvillime që kur ishte iniciuar.
Në mars të vitit 2018, me aktgjykimin e Themelores në Pejë, Naser Pajazitaj ishte liruar nga akuzat, por më pas Apeli e kishte kthyer në rigjykim.
Më 2019, në rigjykim ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Dënimi ishte vërtetuar edhe nga Apeli në korrik të 2019-s, por Supremja kishte prishur të dyja aktgjykimet.
Pas rikthimit të serishëm në rigjykim, lënda iu delegua Themelores në Ferizaj./Gazeta Enigma/