Për të dytën herë është shpallur fajtor kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për veprën penale “konflikt interesi”.
Gjykata e Pejës atë e ka dënuar me 4 mijë euro gjobë, për shkak se në vitin 2018 kishte ndikuar që vajza e tij të punësohej në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në komunën ku ai e udhëheq.
Elezaj ishte shpallur fajtor edhe në dhjetor të 2020 nga po kjo gjykatë dhe ishte dënuar me gjobë të njëjte e me ndalim për dy vjet të funksionit në administratë, por rasti u kthye në rigjykim si shkak i ankesës në Apel.
Dallimi nga dënimi i parë është se Elezajt, që fitoi edhe një mandat në muajin e shkuar për të udhëhequr Klinën, nuk do t’i ndalohet ushtrimi i detyrës së kryetarit.
Ai akuzohej se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.
Në aktakuzë thuhej se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes./Gazeta “Enigma”/