Dita Botërore e Luftës Kundër HIV-it, e cila shënohet me 1 dhjetor, Kosovën e gjen me tetë raste të reja të të infektuarve me këtë virus.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik deri me tani, në Kosovë janë diagnostikuar 139 raste me HIV/AIDS, prej tyre tetë janë diagnostikuar në vitin 2021.
Murat Mehmeti, shef i repartit të HIV/AIDS, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë për Albanian Post, se nuk ka pas ndonjë rritje të numrit të rasteve me HIV.
“Realisht nuk është që ka pas ndonjë rritje, çdo vit kemi pas një trend të njëjtë të numrit të rasteve, çdo vit kemi pas pesë, gjashtë, kurse këtë vit i kemi tetë, që do të thotë se është pak a shumë i njëjti trend i numrit të rasteve” është shprehur Mehmeti.
Ai gjithashtu thekson se “të gjitha rastet me HIV pozitiv janë duke u trajtuar në kushte shtëpie”, pasi, sipas tij, “ato nuk kanë nevojë për hospitalizim”.
Çdo vit, në këtë ditë organizata dhe individë në mbarë botën tërheqin vëmendjen ndaj epidemisë së HIV-it, përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin dhe njohurinë për HIV-in, të flasin kundër stigmës së HIV-it dhe bëjnë thirrje për një përgjigje më të madhe për të ecur drejt fundit të epidemisë së HIV-it.
Alban Gjonbalaj, mjek anesteziolog në QKUK, shpjegon se si u detyrua të themeloj një organizatë jo-qeveritare, për t’ju dal në ndihmë të prekurve me HIV, të cilëve për shkak të stigmës u kanë munguar shërbimet e nevojshme.
“Mund t’i ofrojmë terapi dhe analiza tjera, mund ti ofrojmë shërbime nëse e gjejmë ndonjë person që ka nevojë për një shërbim tjetër jashtë klinikës infektive, një kirurg apo stomatolog, një person që e pranon pacientin me HIV”, është shprehur Gjonbalaj.
“Ka shumë histori por një prej tyre është mjeku ka ofruar shërbim shëndetësor por kur e ka kuptuar që personi është me HIV nuk e ka ofruar dhe fatkeqësisht personi ka vdek”, ka thënë ai.
Violeta Zefi, psikologe tregon për Albanian Post se “akoma ekziston një nivel i lartë i stigmës dhe diskriminimin në raport me këta persona dhe si rezultat i kësaj ata shpesh herë hezitojnë edhe të tregojnë HIV statusin e tyre”.
Ndërkaq, sfidat me të cilat përballen personat me HIV, në Kosovë, janë të mëdha.
“Janë disa sfida me të cilat përballen personat me HIV, duke përfshirë ketu: vendimin për të hyrë në terapi: zbulimin e HIV statusit personave të afërt – familjareve dhe rrethit shoqëror, ruajtjen e një jetë të shëndetshme, paragjykimet nga ana e rrethit social, barrierat në qasjen e shërbimeve shëndetësore dhe sociale”, është shprehur Zefi.
Si pasojë e nivelit të lartë të stigmatizimit dhe paragjykimeve në të cilat ata hasin, shpesh herë gjatë marrjes se shërbimeve të ndryshme shëndetësorë janë të detyruar që të mos e tregojnë statusin e tyre HIV pozitiv.
Por, çfarë ndodhë pas marrjes së lajmit?
“Zakonisht personat me HIV përjetojnë një lloj shoku në lidhje me lajmin e pranuar. Mos-besimi për lajmin është po ashtu shpesh i pranishëm. Paniku, frika nga vdekja, ndjenja e fajit, zemërimi dhe dëshpërimi janë po ashtu reagime të tjera emocionale që përjetohen nga personat me HIV”.
Sipas psikologes situata e pandemisë vetëm sa e ka keqësuar gjendjen
“Situata me Covid-19 jo vetëm që e ka vështirësuar marrjen e shërbimeve esenciale për personat me HIV, por në të njëjtën kohë e ka renduar edhe gjendjen e tyre psikologjike”.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në nivel botëror, ka rritje të nivelit të stresit dhe depresionit për shkak të Covid-19, në mesin e personave që jetojnë me HIV dhe AIDS.
Ajo shpjegon se sa e rëndësishme është mbikëqyrja e gjendjes shëndetësore dhe psikologjike e personave me HIV.
“Vizita të psikologu dhe kujdesi që duhet treguar për shëndetin e tyre mendor është i një rëndësie të veçantë për personat me HIV”, shpjegon ajo.