Dëshminë e tij me pretendime për keqpërdorime të EULEX-it e dha në Kuvendin e Kosovës. Por, një gjë të tillë ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons nuk do të mund ta bëjë edhe në Gjykatën Speciale.
Trupi gjykues në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ka refuzuar propozimin e avokatëve që Simmons të jetë dëshmitar.
Vendimi u dha nga kryegjyqtari Charles Smith me arsyetimin se ky dëshmitar nuk ka ndonjë ndërlidhje me çështjen që po hetohet.
Në këtë formë u shmang edhe ballafaqimi Charles Smith-Malcolm Simmons që dikur ishin kolegë në EULEX. Kjo pasi pikërisht gjyqtarin aktual të Speciales në rastin ndaj Gucatit e Haradinajt, Malcolm Simmons e akuzonte për ndërhyrje e presione në procese gjyqësore sa punonin në EULEX, raporton RTK, përcjellë Gazeta “Enigma” .
Vendimi i Gjykatës u zyrtarizua edhe pas kundërshtimeve nga Prokuroria që Simmons të ftohet si dëshmitar.
“Mbrojtja synon ta ftojë dikënd që dëshmoi në Kuvendin e Kosovës. Ky trup gjykues nuk ndërlidhet me Parlamentin. Kjo sallë gjyqi nuk është forum që ai të shprehë shqetësimet e tij. Deklaratat e tij me ankesa e kritika për EULEX-in, nuk lidhen me punën e sotme në Speciale. Deklarata e tij jep qëndrime të pabaza për Dhomat e Specializuara”, tha James Pache nga ZPS.
Avokatët arsyetuan pse Simmons duhet të ftohet.
“Ne kemi treguar se këta dëshmitarë kanë interes publik. Deklaratat e tyre janë të rëndësishme, dhe nuk mendoj që kjo temë duhet të vazhdojë”, deklaroi avokati i Nasim Haradinajt.
Avokati i Hysni Gucatit pati një tjetër.
“Prokuroria ka kërkuar të bëjë pyetje për Gucatin për 10 orë. Kjo është e cuditshme”, u shpreh Jonathan Rees.
Në këtë seancë është bërë e ditur se Policia ka dërguar garancinë për zbatimin e arrestit shtëpiak, dhe ky dokument pritet të përkthehet për palët.
Fjalët hyrëse të mbrojtjes për këtë proces do të jepen të premten./Gazeta “Enigma”/