Të martën në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Seanca e së martës gjyqësore në rastin e tyre do të mbahet nga ora 09:30 deri në orën 16:00.
Sot do të vazhdojë dëshmia e Gucatit, e cila filloi dje.
Gucati para trupit gjykues tha se do të jepte dorëheqje brenda 24 sekondash, nëse nga zyra e tij do të rridhte ndonjë dokument, ashtu siç ndodhi me Dhomat e Prokurorëve të Specializuar.
Ai beson që rrjedhja e dokumenteve të Speciales ishte kurth për arrestimin e tij, HaradinaJt dhe krerëve të ish-UÇK-së.
Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të ish-UÇK-së tha se besimin në këtë gjykatë e ka humbur, pasi që e njëjta nuk është marrë me rastin “Panda”.
Gjatë dëshmisë së tij, ai akuzoi Specialen që po bashkëpunon me kriminel serbë.
Në fillim të seancës së djeshme, avokati i Haradinajt, Toby Cadman, kërkoi shtyrjen e procedurave gjyqësore deri të mërkurën, me arsyetimin se është i infektuar me koronavirus dhe ka pengesa në komunikim me të akuzuarin.
Mirëpo, kjo kërkesë e tij u refuzua nga trupi gjykues.
Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në aktakuzë thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-në, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.
Në aktakuzë thuhet se “Kjo sjellje tregon qartë synimin dhe motivin e tyre për të dëmtuar dhe penguar procedurat e DHS-së”.
“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë./Gazeta “Enigma”/