Cili është dallimi në mes të dozës së tretë dhe asaj përforcuese?

Cili është dallimi në mes të dozës së tretë dhe asaj përforcuese?

Ministria e Shëndetësisë tani më ka vendosur për dhënien e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Cili është dallimi në mes të dozës së tretë dhe dozës përforcuese?

Në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’, infektologu, Hamdi Ramadani shpjegon se cili është dallimi në mes të dozës përforcuese dhe dozës së tretë.

Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë”, ka deklaruar ai.

Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë

Njëherit, ai ka theksuar se “Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues”.

Infektologu, Hamdi Ramadani

“Vaksinimi me tri doza qoft ajo doza e tretë ose doza përforcuese, do e rrisë efektin mbrojtës dukshëm, dhe do e ulim mundësin e përhapjes së virusit Delta që tani më është prezent tek ne, por edhe të virusit Omicron që mund të paraqitet në ditët në vijim si në shumë vende të botës”, ka theksuar Ramadani.

Sipas tij, “doza e tretë e vaksinës jepet para gjashtë muajve aty ku nuk ka mbrojtje”.

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë ‘dritën jeshile‘ për fillimin e vaksinimit me dozën e tretë dhe asaj përforcuese

“Komiteti për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19 në takimin e mbajtur të martën, në funksion të zbatimit të Planit të përditësuar për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19, ka vendosur që duke filluar nga e enjta (09.12.2021) të fillohet me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në populate”, kanë deklaruar nga kjo ministri.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Ndryshe, në 24 orët e fundit janë dhënë 3.236 doza të vaksinës kundër COVID-19, ku prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë administruar 1.633.364 doza të vaksinës. Deri më sot 768.814 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Gazeta Enigma/

Related Articles