Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media ka njoftuar se qeveria ka ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës. Aliu tha se kanë marrë sinjale pozitive për projektin e hekurudhës pas vizitave të tij dhe homologes shqiptare në Itali.
“Dokumenti i Memorandumit të mirëkuptimit në takimin e dy qeverive me që rast bashkë me ministren Belinda Balluku kemi nënshkruar këtë dokument.Pas vizitave që patëm në Itali e që lidhet drejtpërdrejt me portin e Durrësit dhe mundësitë që mund të sjellë kjo hekurudhë për vendin tonëMorrëm sinjale pozitive do të mund të them që ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku mund të fillojmë për hartimin e një plani të saktë dhe do të na jep edhe afate kohore dhe financiare që mund të përfundojë”, tha Aliu.
Ai poashtu tha se qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit për projektin e hekurudhës.
“Kemi ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit të trasesë për hekurudhën dhe pas përcaktimit se ku lidhet në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ne mund të kemi edhe detaje të tjera të këtij projekti. Detyrë e jona është të shtyjmë para hapjen e korridoreve të tjera që Kosova të bëhet pjesë”, ka thënë Aliu. / Gazeta Enigma.