Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar pas vendimit të SHBA-së, ku kjo e fundit vendosi sanksione ndaj dy serbëve dhe grupit të tyre kriminal, raporton Gazeta Enigma.
Abbott e ka përshëndetur këtë vendim, derisa ka theksuar se thyerja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore.
“Thyerja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore nëse duam të krijojmë hapësirën për politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interes të të gjithë atyre që përfaqësojnë, jo vetëm për veten e tyre”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se kjo është në interes të të gjitha komuniteteve.
“E mirëpres vendimin e SHBA-së për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje kanë vendosur sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.
Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviç.
Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.
Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta. /Gazeta Enigma/.