Në komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 33 raste të reja me coronavirus, sipas një raporti të Shtabit të Krizës të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të publikuar sot.
Ndërkaq, numri i rasteve aktive në këto komuna është 508.
Komunat me shumicë serbe nuk publikojnë rregullisht raporte lidhur me gjendjen epidemiologjike, por ato publikohen çdo dy apo tri ditë.
Në raportin e fundit nuk u raportua për ndonjë viktimë nga sëmundja COVID-19.
Më 7 dhjetor, në zonat e banuara me shumicë serbe ishin raportuar dy viktima dhe 42 raste të reja me coronavirus, transmeton REL.
Institucionet shëndetësore në komunat e banuara me shumicë serbe funksionojnë në kuadër të sistemit serb që financohet nga Beogradi.
Ndërkaq, së fundmi, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës po raporton për numër të ulët të rasteve të reja me coronavirus.
Të mërkurën (8 dhjetor) në raportin pë 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, raportoi për dhjetë raste të reja dhe 319 raste aktive me coronavirus.
Ndryshe, prej sot në Kosovë fillon edhe dhënia e dozës së tretë dhe dozës përforcuese të vaksinës kundër coronavirusit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ata mund të zgjedhin një prej vaksinave që janë në përdorim në Kosovë: vaksinën e Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Situata epidemiologjike në Kosovë është vlerësuar se është e qetë, për dallim nga rajoni dhe Evropa që aktualisht po përballen me një valë të re të infeksioneve.