Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Mirjana Spoljaric Egger, Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, njëherit ndihmës administratore e UNDP-së dhe drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë dhe Komonuelthin e shteteve të pavarura.
Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovë, Fitore Pacolli, dhe në anën tjetër Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Kosovë, Tahmina Anvarova, Specialiste e Strategjisë dhe Partneriteteve të UNDP në RBEC dhe Enisa Serhati, Menaxhere e portofolios së rritjes gjithëpërfshirëse dhe qëndrueshmërisë klimatike e UNDP në Kosovë.
Duke folur për planin e vaksinimit dhe rimëkëmbjes lidhur me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi përqindjen e lartë të qytetarëve të vaksinuar të moshës 16+, me rreth 60% të vaksinuar me të dyja dozat, gjë që e bën Kosovën lider në Ballkanin Perëndimor.
“Ne hartuam pakon e rimëkëmbjes ekonomike, e cila është 6% e Bruto Produktit Vendor, me synim për t’i mbështetur ata që patën humbur vendin e punës gjatë pandemisë dhe për formalizimin e vendeve të punës, prodhimin vendor, rritjen e eksportit, familjet, punëtorët shëndetësorë dhe policinë. Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona”.
“Prandaj, qeveria po punon për strategjinë e re për arsimin, me digjitalizimin si një nga shtyllat e strategjisë. Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin tonë të qeverisë dhe Agjenda Digjitale 2030 do të jetë një nga pikat kyçe e strategjisë sonë të re të zhvillimit kombëtar, u shpreh kryeministri Kurti gjatë këtij takimi.
Ai theksoi se qeveria synon të përdorë transformimin digjital si një shtysë për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi çështjet ambientale dhe veprimet e nevojshme që trajtojnë veçanërisht mbetjet, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve.
U veçuan veprimet e qeverisë për të mbrojtur pasurinë natyrore të rajonit, për të luftuar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, dhe për të siguruar sisteme të qëndrueshme ushqimore, thuhet sipas një komunikate të Qeverisë.
Kryeministri Kurti vlerësoi mbështetjen e UNDP në ngritjen e apaciteteve dhe ndihmën me ekspertizë në zhvillimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike./Gazeta Enigma/