Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Drejtorin Rajonal të BERZh për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli.
Kryeministri Kurti e falënderoi Colangelin dhe BERZh-in për nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës, e cila kontribuon në shëndetin publik.
Ndërsa Colangeli shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm dhe tha se BERZh-i është i vendosur për të rritur shkallën e mbështetjes në Kosovë në fushat me interes të përbashkët.
Kryeministri Kurti përmendi edhe synimin dhe planet e qeverisë për sistemin dual të arsimit, si zgjidhja drejt zvogëlimit të hendekut në mes të aftësive profesionale dhe tregut të punës.
“Kjo do të mundësonte rritjen e produktivitetit brenda sektorit privat dhe rrjedhimisht gjenerimin e vendeve të reja të punës, si një nga prioritetet e qeverisë sonë, tha kryeministrit Kurti.
Tutje, në këtë takim u bisedua edhe për mundësitë dhe format e bashkëpunimit me sektorin privat në shërbim të rritjes së kapaciteteve të tyre./Gazeta Enigma/