Mbrëmë është therur për vdekje një i ri në Hajvali të Prishtinës. Detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti, ka dhënë Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Një incident mes tre personave ka përfunduar me vrasjen e një të riu në Hajvali.
Për rastin, janë arrestuar tre të dyshuar, kurse trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Hajvali 10.12.2021 – 21:35. Është raportuar se pas një incidenti të ndodhur mes tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë dhe viktimës mashkull kosovar, ky i fundit dyshohet se është sulmuar me thikë dhe si pasojë e lëndimeve të rënda ka ndërruar jetë në QKUK. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje kurse trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndryshe, i riu s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe ka vdekur në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar mbrëmë mjeku kujdestar në Emergjencë, Avdush Bajgora.
Sipas Bajgorës, viktima kishte arritur në klinikë me plagë të rënda./Gazeta “Enigma”/