Instituti i Kosovës për Drejtësi, nëpërmjet raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”, kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit nuk ka ngritur asnjë aktakuzë me vetiniciativë dhe nuk ka bashkëpunuar me institucione të tjera për parandalimin e korrupsionit.
Sipas tyre, as këto të fundit, përveç Policisë së Kosovës nuk kanë paraqitur denoncim për korrupsion në prokurim publik.
Gzim Shala, hulumtuesi i lartë në IKD, ka deklaruar se ka pasur një pasivitet sa i përket luftës së korrupsionit në fushën e prokurimit publik. E që sipas tij ky pasivitet është shfaqur edhe në sistemin gjyqësor.
“Prokurori i Shtetit gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur një rol proaktiv në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik dhe kjo vërtetohet edhe nga faktet se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk e kemi asnjë rast i cili është iniciuar nga ana e Prokurorit të Shtetit me vet-iniciativë mbi bazën e gjetjeve”, deklaroi Shala.
Nga ky Institut kanë thënë se nuk ka pasur bashkëpunim mes Prokurorit të Shtetit me instuticionet tjera.
“Kjo për faktin se në vitin 2020, përjashtimisht Policisë së Kosovës, asnjë institucion tjetër nuk ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit ndonjë kallëzim penal për keqpërdorim në fushën e prokurimit publik”, ka thënë Shala.
Tutje, Shala ka theksuar se në sistemin prokurorial nuk ka të angazhuar mjaftueshëm ekspertë në fushën e korrupsionit dhe prokurimit publike.
“Sistemi prokurorial i ka vetëm gjashtë ekspertë në këtë fushë dhe të gjithë janë të angazhuar në Prokurorinë Speciale dhe nuk janë të angazhuar edhe në prokuroritë tjera themelore të cilat trajtojnë rastet e korrupsionit në fushën e prokurimit publik”, ka thënë ai.
Hulumtuesi Mirvet Thaçi, ka përmendur edhe mungesën e rezultateve konkrete nga ana e sistemit të drejtësisë tek fusha e konfiskimit të pasurisë.
Sipas Thaçit, ky sistem nuk është i vëmendshëm sa i përket domosdoshmërisë së luftimit dhe parandalimit të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik.
“Gjatë vitit 2020 në asnjërën prej këtyre nuk kemi kërkesa për sekuestrim apo konfiskim përfundimtar të pasurisë të përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Derisa te aktakuzat e ushtruara gjatë vitit 2021 është bërë vetëm një kërkesë e tillë dhe është propozuar konfiskimi i një veture në pronësi të të pandehurit”.
Ai shtoi se, “një gjetje të tillë e ka konstatuar IKD vazhdimisht tek rastet e korrupsionit, mirëpo kjo problematikë po bartet edhe te rastet e keqpërdorimit në fushën e prokurimit publik”.
Në këtë raport thuhet se nuk janë respektuar as afatet ligjore në trajtimin e këtyre rasteve. Gjatë vitit të kaluar në katër rastet e përfshira në këtë hulumtim nuk është caktuar asnjë seancë gjyqësore.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka rekomanduar që Prokurori i Shtetit të ketë rol proaktiv në hetimin e rasteve në Prokurimin Publik duke iniciuar raste me vetiniciativë./Gazeta “Enigma”/