Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim lirues ndaj të pandehurit D.D., për shkak se nuk është provuar se i njëjti e ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Në periudhën kohore nga data 07.05.2014 e deri me datë 14.11.2016, i pandehuri D, duke qenë në pozitën e personit zyrtar dhe atë të Drejtorit të Drejtoratit të Inspekcionit Komunal, pranë Komunës së Pejës, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin Nr. 04/L-110 të datës 03.07.2021, si dhe nenin 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, duke lejuar ndërtimin e 14 objekteve, banesore dhe afariste pa leje, përkatësisht tejkalim të lejeve urbanistike, duke ju mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve-investitorëve të atyre objekteve.
Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer vepër penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata për të pandehurin D.D, e ka liruar nga akuza meqenëse nuk është provuar se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit / Gazeta Enigma.