Sot janë bërë tri vjet prej kur Kosova u bë me ushtrinë e saj.
Parlamenti i Kosovës më 14 dhjetor të vitit 2018 me 106 vota pro dhe një abstenim votoi tri ligjet që e shndërruan FSK-në në ushtri të rregullt.
Tri ligjet që e ndryshuan mandatin e FSK-së në ushtri të Kosovës, pa iu ndryshuar emri, janë Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në ndërkohë në seancën plenare ku u votua për transformimin e FSK-së nuk ishin të pranishëm deputetët serbë të cilët e kanë kundërshtuar fuqishëm formimin e ushtrisë së Kosovës.
Kjo ditë u cilësua historike nga udhëheqësit institucionalë, derisa për vendimin për formimin e Ushtrisë së Kosovës u festua në sheshet e kryeqytetit dhe qytetet e tjera.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.
Pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës si forcë për emergjenca që më pas u shndërruan në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Krijimi i Ushtrisë së Kosovës është proces që do të zgjasë të paktën 10 vjet./Gazeta “Enigma“/