Kryeministri Albin Kurti doli sot në një konferencë për media ku foli për prapaskenat e takimit të 14 shtatorit në Bruksel, teksa hodhi akuza ndaj përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe presidentit serb, Vuçiq, raporton Gazeta Enigma.
Ai nga gazetarët u pyet nëse do të kërkojë nga Bashkimi Evropian zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut.
“Emisari evropian Lajçak nuk më jep mua llogari si kryeministër i Kosovës, por ai duhet t’i japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian dhe unë besoj se ajo çfarë kam thënë ditëve të fundit e në veçanti sot është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje”, tha ai.
Tutje Kurti ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë, bilateral me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar me nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bëra të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar. Aq më shumë për shkak se Vuçiqi ka një kohë që deklaron se nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Borrellit e Lajçakut ua ka bërë të ditur se hapi i parë duhet të jetë dakordimi i një hapi të sekuencimit, ku përfshihet nënshkrimi i marrëveshjes bazike.