A do të lejojë Qeveria mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë?

A do të lejojë Qeveria mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë?

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, disa herë ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë, por kaq i bindur nuk është numri dy i ekzekutivit kosovar.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Besnik Bislimi, ka refuzuar të tregojë qëndrimin e tij dhe të Qeverisë për këtë çështje, duke thënë se ende nuk ka asnjë vendim.

“Derisa nuk ka vendim, unë nuk dua ta bëj publike atë çka mendon ekzekutivi. Unë e kam mendimin tim, por mendimin e them në mbledhjen e Qeverisë”, tha ai në Kanal10, përcjell Gazeta Enigma.

Kosova dhe Serbia po bisedojnë në Bruksel marrëveshjen sipas të cilës zotohen të mos e sulmojnë njëra tjetrën, thotë zv. kryeministri i parë.

Bislimi ka thënë se Bashkimi Evropian po e ndërmjetëson marrëveshjen e tillë.

Sipas tij, fillimisht Serbia kishte refuzuar të flasë për këtë temë, por BE-ja do ta quajë “marrëveshje mirëbesimi” mes palëve.

Sipas njeriut të dytë të qeverisë, një takim mes krerëve të shtetit pritet të ndodhë para zgjedhjeve të Serbisë, që mbahen fillim të prillit.

Bislimi ka thënë se raportet e Kosovës me SHBA-në kurrë nuk kanë qenë më mirë se nën këtë qeveri./Gazeta Enigma/

Related Articles