A është qëndrim i duhur rreshtimi i Kosovës krah Izraelit në kohë lufte

A është qëndrim i duhur rreshtimi i Kosovës krah Izraelit në kohë lufte

Ekzekutivi i Kosovës ka reaguar menjëherë pas sulmit më 7 tetor nga Hamasi në Tel Aviv të Izraelit, ku të parët e vendit janë pozicionuar krah shtetit izraelit, shkruan Gazeta Enigma.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është e tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael.

Ajo ka shprehur solidaritetin e plotë me popullin dhe shtetin e Izraelit.

“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin i Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Osmani.

Edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova qëndron me Izraelin pas sulmeve terroriste që ndodhën atje.

“Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”, shkroi Kurti.

Kurti pati reagime të vazhdueshme në mbështetje të shtetit të Izraelit, ku theksoi se në këtë luftë qëndron me aleatët si Izraeli.

“Shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin në rritje të vdekjeve pas sulmeve të Hamasit në Izrael.Unë qëndroj me aleatët tanë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre akteve, duke mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër terrorizmit dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, shtoi ai.

Pas reagimeve të të parëve të vendit, ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen nga Kosova.

Ziv mbështetjen e Kosovës e ka cilësuar si me rëndësi të madhe.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e palëkundur nga miqtë tanë në Kosovë. Mbështetja juaj ka një rëndësi të madhe për ne në këto ditë jashtëzakonisht të errëta dhe të vështira”, ka shkruar ajo.

Por, sipas opozitës a është i duhur rreshtimi i Kosovës krah Izraelit?

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, deklaroi se pajtohet me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij Izraeli është duke vepruar mirë karshi Hamasit, pasi ky i fundit është shpallur organizatë terroriste.

“Po, pajtohem me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Ndonëse luftërat nuk janë të mira në parim, mendojë që Izraeli kësaj radhe është duke vepruar mirë në luftën ndaj Hamasit. Ne qëndrojmë me të drejtën e Izraelit për të luftuar Hamasin, sepse dihet që Hamasi është e shpallur organizatë terroriste, dhe shtetet demokratike kudo në botë e kanë mision dhe detyrë të ndjekin, luftojnë e shuajnë organizatat terroriste të cilat kanë qëllim të cënojnë sigurinë e përgjithshme dhe të sjellin vrasje e padrejtësi në vendet që veprojnë”, u shpreh Lekaj për “Enigmën“.

Kurse, njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, theksoi se rreshtimi i Qeverisë së Kosovës karshi Izraelit ka të bëjë vetëm me ‘solidarizimin’, sepse sipas tij duhet të shikohen në aspektin kronologjik ngjarjet e konfliktit Izrael-Palestinë.

“Sa i përket solidarizimit të qeverisë së Kosovës, po edhe qeverive tjera të Ballkanit Perëndimor me Izraelin si rezultat i konfliktit të ri që ndodhi nga sulmi i grupit të ashtuquajtur “terrorist” Hamasi më 7 tetor, mendoj se nevojitet fillimisht të analizohen disa çështje ose të shikohen në aspekt kronologjik ngjarjet e konfliktit Izrael-Palestinë, e më pas të dilet me deklaratë të duhur. Gati se 70 vite Izraeli ka slumuar, vrarë, masakruar, torturuar dhe uzurpuar në tokën e Palestinës, për faktin e vetëm se ai komunitet janë musliman dhe fatkeqësisht të pafuqishëm në aspekt material e ushtarak për t’u përballur me Izraelin. Veç kësaj, duke u kryer të gjitha këto krime në sy të botës, Palestina nuk ka marrë përkrahjen, paktin, sigurinë dhe stabilitetin e duhur nga diplomacia globale, përveç disa citimeve kalimthi sa për syefaqe. Një sulm i tillë terrorist ne e përjetuam edhe në Evropë, ku Rusia sulmoi Ukrainën dhe si rrjedhojë e tërë bota u ngrit në këmbë për ta përkrahur Ukrainën dhe për t’i bërë embargo Rusisë, këtu duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh Shabani për Enigmën.

Njohësi, konfliktin Izrael – Palestinë e krahason me atë Kosovë – Serbi, ku sipas tij në këtë rast ‘Palestina’ e Ballkanit është Kosova dhe ‘Izraeli’ i Ballkanit është shteti serb,

“Unë e kam parasysh se Kosova ka krijuar marrëdhënie diplomatike me Izraelin, por parasegjithash duhet menduar se çfarë ka bërë ai shtet dhe se akoma nuk konsiderohet paqësor. Madje, Kosova e ka shembullin më të mirë dhe aktual të mundshëm, sepse “Palestina” e Ballkanit ishte Kosova dhe “Izraeli” i Ballkanit ishte Serbia”, përfundoi Shabani.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, theksoi se Putin përderisa i ka sponzorizuar grupet si Hamasi, edhe ka vendosur t’i përdori kundër Izraelit.

Sipas tij, sulmi ndaj Izraelit tërhek më shumë vëmendje ndërkombëtare sesa nëse do të ndodhte ndonjë sulm përmes serbëve të Dodikut – Bosnjën, ose përmes Vuçiqit – Republikën e Kosovës.

“Nëse analizojmë taktikat ushtarake të Putinit, me të cilat mposhti kryengritjen çeçene, atëherë mundë të konludojmë se Putin duke i sponsorizua këto grupe pa ndjeshmëri e pa vlerë, si “hamas”, “hesbollah”, ka vendosë ti përdori kundër Izraelit. Kjo për faktin se edhe efekti i sulmit kunder Izraelit ka me tërhjekë më shumë vëmendje ushtarake diplomatike ndërkombëtare, se po ta sulmonte permes serbëve të Dodikut Bosnjen, apo përmes Vuçiqit Republikën e Kosovës”, tha Berisha për Enigmën.

Berisha potencoi se sulmet e Putinit në Ballkan nuk kanë më peshë politike pas humbjes së Thaçit në Kosovë dhe Gjukanoviçit në Mal të Zi.

“Në analizën time sulmet e Putinit në Ballkan nuk kanë më peshën gjeostrategjike dhe gjeopolitike, sidomos pas humbjes së Hashim Thaçit në Kosovë e të Gjukanoviçit në Mal të zi, ngase Rusia i konsideron si teritore të influences së vet. Gjeostrategjikisht Serbia me Izraelin janë pakrahasimishtë të rëndesishme. Gjithashtu destabilizimi i Ballkanit nuk projektohet as në planet e riorganizimit të rendit të ri botëror”, përfundoi ai./GAZETAENIGMA/

Related Articles