Që nga sulmi i vitit të kaluar në Banjskë, vazhdimisht ka pasur sinjale se mund të ketë sërish një deeskalim të sigurisë në vend, ndonëse kjo nuk është mohuar as nga krerët shtetëror të Kosovës. Në vetëm dy ditë, autoritetet vendore ngrenë alarmin se xhandarmëria serbe është afruar shumë pranë kufirit.
Fillimisht, kryeministri Albin Kurti më 12 tetor tha se Serbia ka provokuar duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.
“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkroi Kurti në një postim mbrëmjen e 12 tetorit.
Dy ditë më vonë, Policia e Kosovës tha se në stacionin policor kufitar në Merdar, është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë, që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe.
“Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe. Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror”, njoftoi policia.
“Lëvizjet e xhandarmërisë serbe, të dirigjuara nga Rusia”
E krejt këto sinjale nga Serbia, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, janë të dirigjuara nga Rusia, dhe se javëve dhe muajve në vazhdim pritet që këto raste të përsëriten.
“Sa i përket lëvizjeve të fundit, të ndërmarra nga ana e pushtetit kriminal të Beogradit, përmes përdorimit të strukturave të sigurisë, për të krijuar një incident ndërkufitar, edhe njëherë dëshmohet se kjo është një doktrinë, e cila e ka zanafillën e saj në strukturat e sigurisë në Rusi, të cilët e kanë përdorur të njëjtën në aneksimin e Krimesë, Dobasit dhe Luhanskit, përmes paraqitjes së situatës dhe qëllimit të drejtpërdrejt të strukturave të sigurisë së vendit të Republikës së Kosovës, prandaj Policia e Kosovës ka vepruar mendshëm, me vendosmëri, në përmbajtje profesionale, duke ia pamundësuar për të iniciuar ndonjë përleshje në pikën kufitare”, tha Shala për Gazetën Enigma.
“Strukturat e sigurisë së Serbisë janë të kapura nga strukturat e sigurisë në Rusi, qofshin ato civile, ushtarake apo strukturat inteligjente”, shtoi ai.
“Ka gjasa të ketë tejkalim të vijës kufitare”
Njohësi i sigurisë paralajmëron se raste të njëjta do të shohim edhe në javët dhe në muajt në vijim, “derisa është në interesin e Beogradit zyrtar”.
Se a do të jetë afrimi në kufi e vetmja lëvizje e xhandarmërisë serbe, Shala thotë se ka gjasa që në varësi nga pozicionet e parapara dhe interesave të Serbisë, “mund të kemi edhe tejkalim të vijës kufitare”.
BE-ja hesht
Gazeta Enigma menjëherë pas raportimeve për afrim të tepruar të xhandarmërisë serbe, ka dërguar pyetje drejt Bashkimit Evropian në lidhje me këtë, por të njëjtit nuk kanë komentuar deri në publikimin e këtij artikulli.
Shkak për këtë heshtje, Shala i hedh faj Qeverisë së Kosovës, për siç thotë ai, “prishjen e raporteve të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me zyrtarët evropian”.
“Bashkimi Evropian nuk do të reagoj fare në aspektin e incidentit që ka ndodhur, meqenëse ka një qëndrim negativ sa i përket zhvillimeve dhe ndryshimeve politike që i ka karakterizuar Qeveria e Kosovës, në raport me ta. Pra, për arsye të prishjeve të raporteve të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, për shkak të veprimeve të ndërmarra”, deklaroi Shala për “Enigmën”.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti e Policia e Kosovës kërkuan nga faktori ndërkombëtarë që të reagojë, por ende nuk ka ndodhur një gjë të tillë.
Në mënyrë që Kosova t’i bëjë ballë veprimeve të tilla nga ana serbe, Shala këshillon institucionet e Kosovës që të jenë të përgatitura, madje duke krijuar xhandarmërinë e saj.
“Në bazë të ndryshimeve, tanimë është jetike që Kosova të formojë xhandarmërinë e saj, të jetë e përgatitur për çfarëdo situate që mund të paraqitet”, u shpreh Shala.
Kurti: Kemi bërë investime të paprecedenta për mbrojte
Hallin si të Shalës nuk e ka edhe kryeministri Kurti, i cili tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë “investime të paprecedenta” në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme “për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.
“Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë. Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës. Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës”, pati shkruar Kurti kur njoftoi për veprimet e Serbisë/ GAZETA ENIGMA