Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duket se nuk e ka mbyllur plotësisht dritaren për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi tha se ulej në tavolinë për diskutime, nëse ka “reformë”.
“LDK-ja bënë thirrje që LVV-ja të reformohet para se të ulemi në tavolinë dhe të diskutojmë. Nuk mundem të bashkëpunojë me njerëz që nuk e respektojnë shtetin e Kosovës, për besë nuk mundem. Nuk mund të bashkëpunoj me dikë që të quan ‘tradhtar’ dhe ‘bashkëpunëtor të Serbisë’”, tha Abdixhiku.
“I shikoja në Kuvend, dilnin para mediave dhe deklaronin ‘LDK-ja është bërë bashkë me Vuçiqin dhe Listën Serbe’. Ti pastaj ndalesh dhe e kthen kokën dhe thua kush është bërë me Listën Serbe? Mbrapa e ke komandant Anton Qunin, general Fadil Hadërgjonaj, e ke Hysen Çekajn, djalin e Sali Çekajt, profesor Avdullah Hotin, profesoreshë Hykmete Bajrami, profesor Kujtim Shalën, profesoreshës Jehona Lushakun-Sadriun, dhe profesor Alban Zogajn”.
“Pra, ke njerëz të denjë, e ke një parti të tërë, 171 mijë votues të partisë kundërshtare i ofendon dhe iu thua ‘këta janë me Serbi’, pa kurrfarë përgjegjësie politike. Ata duhet të mblidhen dhe të rikonsiderojnë pozicionin e tyre, dhe e dyta vlerat për të cilat qëndrojnë, vlerat e Albin Kurtit, duhet të jenë të njëjta me vlerat e shtetit ku rrit familjen e tij. Në Norvegji respektohen vendimet e Gjykatës Supreme”, ka thënë Abdixhiku.