A po rikthehet COVID? – Vjen paralajmërimi i MSH-së dhe infektologëve

A po rikthehet COVID? – Vjen paralajmërimi i MSH-së dhe infektologëve

Pas një kohe të gjatë, rastet e reja të infektimit me Covid-19 kanë filluar të rriten në Kosovë.

Aktualisht në vend janë 79 raste aktive.

Por a pritët të ketë ashpërsim të masave antiCovid në vend?

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se varësisht nga situata epidemiologjike dhe rekomandimeve të ekspertëve do të merret vendimi.

“Si shkak i rritjes së rasteve pozitive me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK rekomandojnë qytetarët që në ambientet e mbyllura të bartin maskën. Sa i përket masave, do të vazhdohet me masat aktuale në fuqi dhe varësisht nga situata dhe rekomandimet e ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë do të bej rishqyrtimin e masave”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Infektologu Ramadani: Pritet valë e re e Covid -19, këto janë arsyet

Anipse masat nuk po parashihen të ashpërsohen, ekspertët e fushës po paralajmërojnë edhe një mundësi të një vale të re me covid-19.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se ditëve në vijim do të ketë edhe më shumë raste pozitive.

E, disa nga shkaktarët kryesorë sipas tij janë ardhja e mërgatës, grumbullimi nëpër ahengje të ndryshme.

 “Rastet kanë filluar të rritën në vend, kjo tregon që ditëve në vazhdim mund të përballemi me raste të mëdha të të infektuarve me covid. Krejt kjo ngritje e rasteve vie nga ardhja e mërgatës për festat e fund vitit. Sigurisht që edhe grumbullimet në ahengje, restorante të mbyllura, pa maska e dezinfektues e pa distancë kanë quar në rritje numrin e rasteve”, u shpreh Ramadani.

Hamdiu thotë për Front Online se ka interesim të vogël të qytetarëve për t’u vaksinuar.

Ai tha se respektimi i masave aktuale nuk lejon rritjen e numrit të rasteve me COVID.

“Vaksinimi dhe imunizimi është arma kryesore  e parandalimit dhe kufizimit të pandemisë , por këto javët që kaluan janë vaksinuar tejet pak qytetarë. Ka ulje të mëdha të të interesuarve për dozën e tretë dhe të katërt. Masat duhet të jenë këto të përgjithshmet, distanca, dezinfektuesit duhet të jenë në nivel dhe këto zona epidemike të gripit sezonal mirë të zbatuara në udhëzimet e MSH-së dhe OBSH-së”, theksoi Ramadani.

Çka e dallon Covidin nga gripi sezonal? Flet infektologu Ramadani

Jo vetëm Covid-19, në vend është përhapur edhe gripi sezonal.

Ditëve të fundit deri në 200 pacientë brenda një ndërrimi në QKMF po kontrollohen për këtë viroz.

Infektologu Hamdiu, thotë se simptomat nuk dallojnë me ato të  COVID-it.

Ai apelon për vaksinim.

“Edhe gripi sezonal ka një përhapje të rasteve në vend dhe qendrat mjekësore për kontrolle ka rritje të pacienteve me këtë viroz. Qytetarët duhet të vetëdijesohen me u vaksinuar edhe kundër COVID dhe kundër gripit sezonal për të qenë situata nën kontrolle. Simptomat janë pothuajse të njëjta me gripin sezonal dhe coronavirusin por bazuar me ekzaminim klinik laboratorik dhe mikrobiologjik e qartëson sëmundjen”, thotë Ramadani.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë apel te qytetarët që të bartin maska në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen.

“MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese, andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Related Articles